* Mauger – teksti i njohur i frëngjishtes, që nxënësit e quanin “Mozhe”.
Gëzuar Festën Mësuesit e mi të frëngjishtes e ju miq të dashur
Dhe pse nuk jemi më të rinj mbase sot dhe jemi plakur
Dhe pse disa nga ju nga kjo botë janë larguar
Në kujtimet tona jeni të gjithë përherë të nderuar!
Ne ishim fare fëmijë kur kullën e lartë në faqet e librit vështronim
Ëndrra pas ëndrre me mendjen tonë ndërtonim,
Dhe vitet ikën nuk isha më 9 por plot trembëdhjetë vjet
Duhet të bëja zgjedhjen çfarë do bëja në jetë
Në sytë e mi ju mësuesit e mi të pasionuar
Plot dashuri frëngjishten për të na mësuar
Në libra të thjeshtë me fletët e verdha me vizatimet bardh e zi
Do na frymëzonin ma shumë se asnji.
Nga fjalët në frëngjisht lexohej dashuria po aq sa dhe nostalgjia
Për Francën e kulturës, Francën e historisë
Për Francën e modës që kuptohej në veshjen e tyre dhe kur nata ishte e zezë pis.
Dhe erdha në Tiranë 13 vjeç frëngjishten për ta mësuar
Profesor Agronin asnjëherë s'kam për ta harruar
Kujtimit të tij do t'i përulem me respektin e ditës së parë
Pasi qe mësuesi që dëshirën për të mësuar na e mbajti gjallë
Në duart tona në konvikt me një libër katër vetë mësonim
E donim mësimin ndaj njëri-tjetrin respektonim
Sipas mundësisë të gjithë së toku të përparonim.
Sot nxënësit tanë nuk mund ta kuptojnë si ne frëngjishten e mësuam
Me një libër katër vetë me pasion e dashuri përparuam.
Na nxiti magjia e frëngjishtes në gojën e mësuesve tanë
Na nxiti ëndrra për Francën e frëngjishten, që aq shumë frymëzon.
E bënë mësimin të fortdëshiruar me Mozhenë* siç e quanim atëherë
Libër që atëherë na falte ëndrra, gëzim e pranverë.
Dhe u rritëm, studentë u bëmë një ditë
Për të marrë ma shumë dritë, frëngjishten duke mësuar
Dijet dhe kulturën nga pedagogët tanë të nderuar
Corneille, Molière, Balzac, Hugo, Éluard e shumë të tjerë
E bënin mësimin e dashur interesant përherë.
Këta ishin ndër vite mësuesit e mi të nderuar,
Që kur zilja binte na dukej sikur mësimi sapo kish filluar
Ata që përherë i adhuruam për kulturë e dije
E pse jo dhe për veshjen e tyre plot dritë e hije
Na mësuan, pas gjuhës e kulturës të dashuruar
Për nxënësit mësues të palodhur e të pasionuar.
Violeta Kraja